Linja Durrës-Rrogozhinë, nisin konsultimet për rehabilitimin dhe elektrifikimin
Hekurudha Shqiptare ka nisur procedurat e informimit dhe konsultimit publik për projektin e rehabilitimit dhe elektrifikimit të linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë.
Shoqëria publike bëri të ditur se procesi po zhvillohet në kuadër të përgatitjes së dokumentacionit mjedisor dhe social të projektit, i cili shtrihet në territorin e bashkive Durrës, Kavajë dhe Rrogozhinë..
Sipas përmbledhjes joteknike të projektit që shoqëron këtë fazë, ndërhyrja parashikon rindërtimin, modernizimin dhe elektrifikimin e rreth 33 kilometrave linjë hekurudhore ekzistuese, nga zona e Shkozetit në Durrës deri në stacionin e Rrogozhinës.
Projekti konsiderohet pjesë e Korridorit VIII Pan-Europian, që lidh rajonin e Adriatikut me Ballkanin Lindor dhe rrjetin europian të transportit. Sipas dokumentit, rehabilitimi i segmentit është përfshirë në prioritetet e qeverisë shqiptare për integrimin e rrjetit hekurudhor me rrjetin Trans-Europian të Transportit (TEN-T).
Financimi i projektit mbështetet nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Banka Europiane e Investimeve (BEI) dhe fondet e Bashkimit Europian.
Linja Durrës–Rrogozhinë është ndërtuar në periudhën 1947–1950 dhe, sipas dokumentacionit, ka pësuar degradim të konsiderueshëm gjatë dekadave të fundit për shkak të mungesës së mirëmbajtjes, duke kufizuar shpejtësinë e trenave dhe funksionalitetin e shërbimit.
Punimet e planifikuara përfshijnë zëvendësimin e shinave ekzistuese, rinovimin e traversave dhe ballastit, përmirësimin e sistemit të drenazhimit, rehabilitimin e urave dhe zgjerimin e tunelit të Rrogozhinës për t’iu përshtatur standardeve europiane dhe elektrifikimit të linjës.
Projekti parashikon gjithashtu instalimin e sistemeve të reja të sinjalizimit dhe telekomunikacionit, modernizimin e kalimeve në nivel, mbylljen e kalimeve informale dhe ndërtimin e nënkalimeve ose mbikalimeve në zona me fluks të lartë lëvizjeje.
Një komponent i ri i projektit është elektrifikimi i plotë i linjës, i cili do të mundësojë operimin e trenave elektrikë përgjatë gjithë segmentit. Dokumenti parashikon ndërtimin e një nënstacioni tërheqjeje në Rrogozhinë dhe instalimin e infrastrukturës mbështetëse për furnizimin me energji.
Sipas Hekurudhës Shqiptare, projekti synon të përmirësojë sigurinë, besueshmërinë dhe efikasitetin e transportit hekurudhor për pasagjerë dhe mallra, duke krijuar kushtet për shpejtësi më të larta operimi dhe standarde më të mira shërbimi krahasuar me gjendjen aktuale.